Pas një fushate njëvjeçare të informimit publik dhe ndërgjegjësimit të shumicës prej qytetarëve mbi rëndësinë e jashtëzakomshme të reduktimit të plastikës, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) vazhdon punën çdo ditë në terren për të siguruar zbatimin e ligjit nga ana e subjekteve.

ISHMT bëri të ditur se ka bllokuar mëngjesin e së premtes rreth 31 kg qese plastike jashtë standardit të lejuar.

“Qeset u bllokuan pranë tregut ushqimor në rrugën “Hamdi Pepa” , në Tiranë. Janë qese që në pamje të jashtme duken të rregullta por pas matjeve rezultojnë me mikron më të ulët se sa përcakton ligji”, bën të ditur ISHMT.

ISHMT apelon operatorët ekonomik të zbatojnë kriteret ligjore, ndërsa siguron se nuk do të ketë asnjë tolerim për personat që prodhojnë, importojnë apo tregtojnë qeset me trashësi më të hollë se 70 mikron, tashmë të ndaluara prej 1 qershorit 2022.

ISHMT sjell në vëmendje se çdo person që hedh në treg, prodhon, importon ose fut në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo të oxo-biodegradueshme, dënohet me gjobë në vlerën 500,000 (pesëqind mijë) lekë dhe sekuestrimin e qeseve plastike të ndaluara.

Në rast se konstatohet se subjekti është gjobitur dhe më parë, dhe shkelja e tij përsëritet masa ndëshkimore me gjobë 3-fishohet, i sekuestrohet malli dhe mund të shkohet deri në revokimin e lejes/licencës së prodhimit.