Në vijim të takimeve koordinuese me prefekturat e vendit, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) zhvilloi një takim pune në Prefekturën e Qarkut Vlorë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkive të qarkut.
Gjatë takimit u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për identifikimin, regjistrimin dhe monitorimin e ashensorëve, si dhe për garantimin e zbatimit të kërkesave ligjore dhe teknike që lidhen me sigurinë e tyre.
Vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për shkëmbim informacioni dhe koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, me qëllim evidentimin e situatës në terren dhe ndërmarrjen e masave konkrete për rritjen e nivelit të sigurisë.
Takimi në Qarkun Vlorë është pjesë e një serie takimesh që ISHMT po zhvillon në të gjithë vendin për të ndërtuar një qasje të unifikuar dhe efektive në monitorimin e ashensorëve, duke vendosur në qendër mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.
Siguria është përgjegjësi e përbashkët dhe bashkëpunimi institucional mbetet çelësi për garantimin e saj.



