Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), Ministria e Financave dhe Ekonomisë me mbështetjen e Programit të Bashkëpunimit Gjerman (GIZ) “Mbështetje për harmonizimin e legjislacionit ekonomik e tregtar me Acquis-në e BE-së”, me qëllim standardizimin e tregut në fushën e sigurisë së lodrave dhe qasjen e tij në nivele të tregjeve Evropiane, në kuadër të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, organizoi në ambientet e Mak hotel (ish Hotel Sheraton) workshop-in me temë: “Siguria e lodrave – Standardet dhe legjislacioni shqiptar”. Pjesëmarrës në këtë workshop ishin operatorë ekonomikë, përfaqësues nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar, Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve e Bashkisë Tiranë, Qendra “Konsumatori Shqiptar”, Shoqata e Konsumatorit Shqiptar, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Në këtë aktivitet, u diskutua mbi rëndësinë e mbrojtjes së konsumatorëve dhe rregullimin e tregut në një fushë sensitive si ajo e sigurisë së lodrave, si dhe për përpjekjet dhe punën e bërë nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, për standardizimin e kësaj fushe, ku një vend të rëndësishëm merr asistenca e ofruar nga Programi I Bashkëpunimit Gjerman (GIZ), në mbështetje të sektorëve të ISHMT, veçanërisht në fushën e sigurisë së lodrave.
Përfaqësues nga ISHMT paraqitën një prezantim të legjislacionit në sigurinë e produkteve jo ushqimore, detyrimet ligjore që duhet të zbatojnë operatorët ekonomik tregtarë për sigurinë e lodrave në kuadër të mbrojtjes së konsumatorëve, si dhe inspektimet e realizuara në kuadër të rregullimit të kësaj fushe.
Çështjet e trajtuara nga ISHMT paraqitën interes për pjesëmarrësit, të cilët ngritën pyetje nisur nga eksperiencat në fushën e tregtimit të lodrave, si dhe shkëmbyen ide mbi mënyrat e lehtësimit të praktikave dokumentare. Ky takim pati jo vetëm një rol informues, por njëkohësisht shërbeu si një hap i parë për vendosjen e një partneriteti midis operatorëve ekonomikë dhe autoriteteve përgjegjëse për kontrollin e sigurisë së lodrave.