Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), po vijon kontrollin te operatorët ekonomikë në treg, për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për ndalimin e qeseve plastike mbajtëse nën parametrat dhe dimensionet që parashikon ligji, si dhe për ndalimin e qeseve oxo-biodegradueshme dhe oxodegradueshme.
Operatorët ekonomikë ndalohen të përdorin ose ofrojnë qese plastike mbajtëse me përmasa më të vogla se 50 cm gjatësi dhe 24 cm gjerësi (pa përfshirë gjerësinë e palosjeve) me kapacitet mbajtës më të vogël se 10 kg, me trashësi nën 70 mikron.
Ndërsa kontrollet po vijojnë te të gjithë operatorët ekonomik në treg vërehet një ndërgjegjësim.
“Subjektet janë vënë në dijeni për detyrimet për zbatimin e v.k.m për ndalimin e qeseve plastike mbajtëse nën parametrat dhe dimensionet që parashikon ligji, si dhe për ndalimin e qeseve oxo-biodegradueshme dhe oxodegradueshme. Ka një ndërgjegjësim të lartë të operatorëve ekonomikë në treg”, shprehet kryeinspektori i ISHMT-së, Gazmend Osmani.
Qeveria ka vendosur që nga data 1 qershor 2022, prodhimi, importi dhe përdorimi i qeseve plastike mbajtëse si dhe e qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme të ndalohet me ligj.
Ligji parashikon edhe gjoba deri në 1,5 milionë lekë për importuesit, prodhuesit dhe tregtuesit e qeseve plastike.
“Përgjatë muajit qershor nuk ka pasur vendosje masash. Ndërkohë nga 1 korriku për subjektet që gjenden duke përdorur qese plastike nën parametrat dhe dimensionet që parashikon ligji, si dhe qeseve oxo-biodegradueshme dhe oxodegradueshme do të ketë masa ndëshkimore”, u shpreh kryeinspektori Osmani.