“Me datë 08/10/2018, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, zhvilloi takimin me përfaqësues të mbajtësve të markave në Republikën e Shqipërisë. Ky takim kishte për qëllim njohjen e përfaqësuesve me institucionin e ISHMT-së dhe legjislacionit përkatës, informim mbi mekanizmin e mbrojtjes së pronësisë industriale, si dhe shkëmbimin e problematikave të hasura nga operatorët ekonomikë.

Fjala hapëse u mbajt nga Kryeinspektori i ISHMT-së, znj. Ejana Xhixha dhe u ndoq nga Drejtori i DPPI-së, z. Elvin Lako. Pas tyre, iu la vendi bashkëbisedimit me pjesëmarrësit mbi problematikat e fushës. Në takim, u evidentuan mangësitë procedurale aktuale të kuadrit ligjor mbi pronësinë industriale dhe për nismat ligjore të ndërmarra nga ISHMT për zgjidhje. Ndërsa përfaqësuesit e markave vendosën theksin në nevojën për prezencën e shtuar të institucionit në rregullimin e tregut përsa i përket pronësisë industriale. Në fund u konkludua vazhdimi i komunikimit dhe i bashkëpunimit të mëtejshëm të institucionit të ISHMT-së me operatorët ekonomikë, mbi nismat ligjore dhe për veprimtari të tjera të ngjashme”.