Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), Gazmend Osmani thirri sot në një takim përfaqësues të organeve të miratuara të vlerësimit të konformitetit.
Kryeinspektori Osmani, theksoi se gjatë inspektimeve të kryera nga trupat inspektuese të ISHMT-së, janë konstatuar problematika, që lidhen kryesisht me mangësi në plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për ashensorët në përdorim.
“ISHMT si institucioni përgjegjës për garantimin e sigurisë së ashensorëve dhe regjistrimin e tyre në regjistrin kombëtar, kërkon nga organet e miratuara të vlerësimit të konformitetit të kryejnë vlerësimin e konformitetit dhe testet përkatëse të sigurisë, sipas standardeve dhe rregullave teknike në fuqi për të gjitha instalimet e vendosura në shërbim”, deklaroi Kryeinspektori Osmani.
Kryeinspektori Osmani e cilësoi si të domosdoshëm bashkëpunimin me përfaqësues të organeve të miratuara të vlerësimit të konformitetit për shkëmbimin në kohe reale të të gjithë informacionit në lidhje me ekzaminimet e plota dhe inspektimet periodike, për të pasur një nivel maksimal të sigurisë të ashensorëve në përdorim.
Kryeinspektori Osmani bëri të ditur se ky takim i thirrur nga ISHMT, ka qëllim marrjen e të gjitha masave për rritjen maksimale të sigurisë së ashensorëve. Osmani tha se do të vazhdohet me takime të tjera midis palëve dhe grupeve të interesit për të adresuar çdo problematikë të evidentuar nga inspektimet e përditshme në terren.