Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut vijon kontrollet në terren për verifikimin e respektimit të detyrimeve ligjore nga ana e operatorëve ekonomik. në përputhje me Ligj Nr.9902/2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, i ndryshuar.

Referuar këtij legjislacioni, tregtarët janë të detyruar, në kufijtë e veprimtarive përkatëse, t’u japin konsumatorëve të dhëna të plota dhe të sakta, të verteta e të qarta për mallrat dhe shërbimet e vendosura në treg. Të dhënat duhet të përmbajnë karakteristikat e mëposhtme sipas natyrës së mallit:

  • identitetin e prodhuesit; cilësinë; sasinë; dobinë; origjinën; afatin e përdorimit; mënyrën e mirëmbajtjes dhe garancinë e mallrave dhe të shërbimeve;

Në mallrat për shitje, duhet të jenë të shënuara (etiketuara), dukshëm dhe kuptueshëm:

  • emërtimi i mallit,
  • adresa e fabrikuesit dhe/ose importuesit, marka ose çdo shenjë tjetër dalluese e fabrikuesit, importuesit ose furnizuesit
  • pesha, sasia, përmasa ose dimensionet, si dhe çdo informacion tjetër që, në vartësi të natyrës së mallit, është i domosdoshëm për identifikimin ose përdorimin e tij;
  • informacion për jetëgjatësinë minimale ose datën e skadimit, nëse ka.
  • rreziqet, që lidhen me mallrat dhe shërbimet.

Të gjitha të dhënat dhe informacionet më të domosdoshme për mallin dhe shërbimin duhet të jenë në gjuhën shqipe.

Çdo mall apo shërbim duhet të ketë të shënuar çmimin, i cili duhet të jetë i qartë, lehtësisht i dallueshëm dhe i lexueshëm. Çmimi i shitjes së mallit ose shërbimit të ofruar shprehet vetëm në monedhën vendase (Lekë).

Konsumator, në rast të konstatimit të mungesës të këtyre elementëve në mallrat që tregtohen apo shërbime,  paraqisni ankesësn tuaj pranë ISHMT duke:

  • plotësuar formularin Ankohu në web-siten zyrtar www.ishmt.gov.al
  • dërguar email pranë  info@ishmt.gov.al
  • depozituar pranë zyrave të ISHMT, Adresa: Rruga “Shyqyri Bërxolli” Nr.65, Tiranë.