Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) synon fuqizimin e kapaciteteve të inspektorëve, për një kontroll efikas të subjekteve tregtare në drejtim të respektimit të të drejtave të konsumatorëve.
Në ambientet e ISHMT-së u zhvillua sot trajnimi me fokus të veçantë: Garancinë ligjore dhe tregtare në zbatim të kritereve të përcaktuara në ligjin “Për mbrojtjen e konsumatorit .
Kryeinspektori i ISHMT-së, Gazmend Osmani theksoi se sigurimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së konsumatorëve është një ndër prioritetet e Qeverisë Shqiptare, pasi sipas tij, rritjes së ekonomisë së një vendi, krahas bizneseve konkurruese, i nevojitet edhe një kërkesë e fortë blerje nga ana e konsumatorëve.
Ekspertja e fushës, Nada Dollani u ndal në garancitë ligjore dhe tregtare që ofrohen për konsumatorin përmes ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit”.
Sipas saj, garancitë ligjore dhe tregtare të konsumatorëve përfshijnë detyrimin për dëmshpërblimin e konsumatorëve në rast të mospërputhshmërisë së produktit, dhe detyrimin për pranimin e ankesave brenda 3 ditëve.
“Në rast se sendet e blera nga konsumatori janë me defekte apo nuk funksionojnë atëherë konsumatori mund të ankohet menjëherë tek shitësi, i cili është i detyruar të pranojë ankesat për mallrat në çdo vend ku ushtron ose paraqet veprimtarinë, me përjashtim të rastit kur është autorizuar një person tjetër për riparimet. Në këtë rast, ankesa duhet të paraqitet tek personi i autorizuar për riparimet. Shitësi duhet të vendosë për pranimin e ankesës menjëherë ose brenda 3 ditëve pune”, tha ajo.
Dollani theksoi se kushtet dhe afatet e garancisë tregtare nuk cënojne asnjeherë të drejtat që garantohen me legjislacionin “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, për një periudhe 2-vjeçare.
“Për sa i përket, garancisë kontraktuale, kjo nuk duhet të ngatërrohet me garancitë dhe mbrojtjen që ofron ligji “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, pasi mbrojtja e ofruar nga ligji nuk mund të privohet në asnjë mënyrë nga deklarata e garancisë kontraktuale. Garancia kontraktuale mund të ofrojë të drejta shtesë për konsumatorin, por kurrsesi nuk mund të prekë të drejtat që konsumatori ka fituar nga ligji”, tha Dollani.
Pjesë e trajnimit ishin edhe përfaqësues të subjekteve dhe të shoqatës “Bashkimi tregtar i Shqipërisë” dhe Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve.
Ndërgjegjësimi i konsumatorëve në lidhje me sigurinë e produkteve në treg si dhe i operatorëve ekonomikë për detyrimet që duhet të plotësojnë për ofrimin e produkteve të sigurta në treg në zbatim të kritereve të përcaktuar në legjislacionin në fuqi ka qenë në fokusin e punës së ISHMT-së.
ISHMT-ja është përgjegjëse për inspektimin e zbatimit të kërkesave të detyrueshme ligjore në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve; mbrojtjes së pronësisë industrial; garantimit të mbrojtjes dhe të respektimit të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to; inspektimit metrologjik; etiketimit për konsumimin e energjisë dhe burimeve të tjera të produkteve me ndikim në energji; dhe kontrollit të detergjentëve të vendosur në treg.