Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) në vijim të kontrolleve për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.367/2022 “Për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike mbajtëse dhe qeseve oxo-degradueshme dhe oxo-bio të degradueshme”, bllokoi 147 kg qese plastike me trashësi më të hollë se 70 mikron.
Inspektorët e ISHMT-së sekuestruan të gjithë sasinë e këtij malli, si dhe vendosën masë administrative 500,000 (pesëqind mijë) lekë ndaj subjektit.
ISHMT, si institucion zbatues i nismës së qeverisë për heqjen e qeseve plastike nga përdorimi iu bën apel të gjitha subjekteve të zbatojnë detyrimet ligjore që rrjedhin nga zbatimi i kësaj VKM-je, pasi kontrollet do të intensifikohen në të gjithë territorin e vendit.
Ky vendim përcakton se operatorët ekonomikë, që prej datës 1 Qershor, ndalohen të përdorin ose ofrojnë qese plastike mbajtëse me përmasa më të vogla se 50 cm gjatësi dhe 24 cm gjerësi (pa përfshirë gjerësinë e palosjeve) me kapacitet mbajtës më të vogël se 10 kg, me trashësi nën 70 mikron.
Ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike njëpërdorimshme, parashikojnë penalitete në rast mosrespektimi të kësaj VKM-je.
Në rastet kur subjektet nuk respektojnë kërkesat e përcaktuara në vendim, ISHMT ndalon tregtimin e qeseve plastike, procedon me sekuestrimin dhe marrjen e masave përkatëse.
Referuar vendimit, çdo person që hedh në treg, prodhon, importon ose fut në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo të oxo-biodegradueshme, dënohet me gjobë në vlerën 500,000 (pesëqind mijë) lekë dhe sekuestrimin e qeseve plastike të ndaluara.
Në rast se konstatohet se subjekti është gjobitur dhe më parë, dhe shkelja e tij përsëritet masa ndëshkimore me gjobë 3-fishohet, i sekuestrohet malli dhe mund të shkohet deri në revokimin e lejes/licencës së prodhimit.
ISHMT ka në fokus të punës së saj ndërgjegjësimin e subjekteve dhe informimin e tyre për zbatimin me korrektësi të ligjit, ndërsa rikujton detyrimet që rrjedhin prej tij, në mbrojtje të konsumatorëve dhe të konkurrencës së ndershme.