Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut gjatë periudhës Nëntor 2019- Janar 2020 ka kryer inspektime në subjektet e importit dhe tregtimit me shumicë dhe pakicë të produkteve lodra. Gjatë kësaj periudhe që korrespondon dhe me pikun e importeve të kësaj kategorie produkti, në tregun shqiptar janë bllokuar me destinacion përfundimtar shkatërrimin e tyre rreth 13 000 copë lodra të ndryshme. Bllokimi i produkteve lodra nga ana e ISHMT ka ardhur pas konstatimeve :

  • Substancave toksike në nivele tepër të larta të përbërësve të plastikës dhe metaleve të rënda ku përmendim, ftalatet, boronin, plumbin, etj. Testet laboratorike janë kryer në laborator të akredituar në Itali.
  • Lodrat jashtë standardit të cilat nuk janë në përputhje me direktivën europiane të lodrave dhe legjislacionin shqiptar, për sa i përket testeve fizike dhe mbartin rrezik të lartë për kategorinë e fëmijëve të moshës 0 – 36 muaj. Testet laboratorike janë kryer në laborator të akredituar në Itali.
  • Lodrat me mungesë të markimit CE dhe dokumentacionit përkatës nga prodhuesi i produktit ku provohet se lodra është në përputhje me standardet europiane të sigurisë dhe nuk rrezikon jetën dhe shëndetin e fëmijëve
  • Lodra të raportuara nga sistemi i shkëmbimit të shpejtë të informacionit (RAPEX) i Komisionit Europian si produkte me përmbajtje të lartë të elementëve toksikë, kancerogjene, etj.
  • Lodra të raportuara nga vendet e rajonit si produkte të cilat sipas testeve laboratorike rezultojnë të rrezikshme për jetën dhë shëndetin e fëmijëve

Shkatërrimi i produkteve lodra u realizua në përputhje me legjislacionin për mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore dhe legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit. Shkatërrimi i këtyre produkteve është domosdoshmëri pasi substancat toksike, elementët alergjenë, mutagjenë dhe kancerogjenë mbartin rrezik real për jetën dhe shëndetin e fëmijëve.

Testimet laboratorike të kryera në mostrat e lodrave të marra në 34 importues, janë vënë në dispozicion të operatorëve ekonomikë brenda afateve ligjore të parashikuara në ligjin për inspektimin. ISHMT vlerëson bashkëpunimin e operatorëve ekonomik në marrjen e masave të nevojshme për heqjen nga tregu dhe shkatërrimin e këtyre produkteve të rrezikshme. Gjatë këtij procesi nuk ka patur në asnjë rast ankim administrativ nga ana e subjekteve, ndaj të cilave është marrë masa e bllokimit dhe shkattërrimit të produkteve lodra nga ISHMT.

ISHMT u bën thirrje të gjithë subjekteve që operojnë në tregun e importit dhe tregtimit të produkteve lodra që të vendosin në tregun vendas produkte të cilat janë në përputhje me legjislacionin shqiptar, i cili është tërësisht i transpozuar dhe në përputhje me standardet europiane për prodhimin, importin dhe tregtimin e produkteve lodra. Inspektimet në tregun e importit dhe tregtimit të produkteve lodra do të vijojnë në kufi në bashkëpunim me autoritetet doganore, si edhe në treg për të vlerësuar zbatimin e kërkesave ligjore nga ana e operatorëve ekonomik.