Në prag të festave të Fundvitit, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) ka shtuar numrin e inspektimeve për zbatimin me korrektësi të ligjit, me qëllim garantimin e sigurisë së lodrave për fëmijë në treg.
Kryeinspektori i ISHMT-së, Gazmend Osmani bëri të ditur se në fokus të inspektimeve nuk janë vetëm tregjet dhe dyqanet e dedikuara për tregtimin e artikujve për fëmijë, por edhe marketet dhe çdo pike tregtimi.
Osmani shpjegoi se ligji parashikon tregtimin nga ana e subjekteve vetëm të artikujve që plotësojnë standardet europiane, pra janë të markuara CE. Njëkohësisht, vuri në dukje ai, importuesit duhet të vendosin në dispozicion të tregtarëve edhe dokumentacionin përkatës nga prodhuesi i produktit, ku provohet se lodra është në përputhje me standardet europiane të sigurisë dhe nuk rrezikon jetën dhe shëndetin e fëmijëve.
“U bëjmë thirrje të gjitha subjekteve që operojnë në tregun e importit dhe tregtimit të produkteve lodra që të vendosin në tregun vendas produkte të cilat janë në përputhje me legjislacionin shqiptar, i cili është tërësisht i transpozuar dhe në përputhje me standardet europiane për prodhimin, importin dhe tregtimin e produkteve lodra. Për të gjitha produktet që rezultojnë me përmbajtje të elementëve kimikë jashtë tolerancave të përcaktuara në legjislacionin shqiptar do të kryhet bllokimi i menjëhershëm dhe shkatërrimi i tyre”, bëri të ditur Osmani.
Kryeinspektori Osmani theksoi se për të vlerësuar zbatimin e kërkesave ligjore nga ana e operatorëve ekonomik, inspektimet do të nisin që në pikat doganore.
Gjatë kësaj jave inspektorët e ISHMT-së kanë dhjetëra inspektime të planifikuara në treg.
ISHMT do të vijojë inspektimet dhe informimin e konsumatorëve dhe tregtarëve për modelet dhe kategoritë e produkteve të cilat janë të ndaluara të vendosen dhe tregtohen në vend.