Në kuadër të 15 Marsit,  Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Konsumatorit, u zhvillua një tryezë diskutimi e organizuar nga Qendra ALERT, Qendra “Konsumatori Shqiptar” dhe Qendra për Ekselencë DESTINY, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.

Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë për të diskutuar mbi sfidat dhe prioritetet në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, si dhe mbi ecurinë e reformave në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Në tryezë morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve qendrore, ndër të cilët Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, z. Enkelejd Musabelliu, znj. Blerina Gjylameti, Drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, z. Edison Konomi, i cili theksoi përkushtimin e institucionit për mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e sigurisë së produkteve në treg. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjes së ndërgjegjësimit të konsumatorëve për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së tyre.