ISHMT u ka komunikuar ta gjitha bashkive të vendit për detyrimin e respektimit të kritereve dhe kushteve teknike që duhet të zbatojnë operatorët ekonomik në lidhje me pjesën e procedurave të standardizimit dhe harmonizimit të lodrave qe vendosen në parqe apo këndeve të lojërave për fëmijë.
Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Gazmend Osmani deklaroi se synimi është ndërgjegjësimi i zotëruesve të këtyre këndeve për vendosjen në funksion të pajisjeve të certifikuara, dhe të sigurta për fëmijë.
Kontrollet e ISHMT do të konsistojnë në inspektimin për verifikimin nëse pajisjet dhe vendosja e tyre është realizuar në parqet e lodrave qoftë këto të përhershme apo edhe sezonale në përputhje me detyrimet sipas ligjit dhe standardeve referuese.
Njëkohësisht inspektorët e ISHMT-së informojnë mbikëqyrësit e këndeve të lojërave mbi nevojën për inspektimin dhe mirëmbajtjen e përditshme të pajisjeve dhe sipërfaqeve për zbutjen e goditjes pas rënies. Për çdo rast personat përgjegjës duhet të reagojnë sa më shpejt e të marrin masa për të përmirësuar apo ndrequr dëmtimet nga amortizimi dhe përdorimi.
Qëllimi ynë është rritja e sigurisë në këndet e lojërave, përmes sensibilizimit të operatorëve ekonomikë për njohjen dhe zbatimin e kritereve ligjore mbi sigurinë e lodrave.
Asnjëherë nuk duhet të nënvlerësojmë rëndësinë e standardeve të sigurisë në këndet e lojërave. Kur fëmijët hyjnë në një shesh lojrash, ata shpesh janë të entuziazmuar për të eksploruar pajisjet shumëngjyrëshe dhe për të testuar aftësitë e tyre. Nëse një shesh lojrash është i pasigurt, fëmijët janë të kufizuar në atë që mund të bëjnë dhe të kënaqen, dhe ata mund të lëndohen.
Inspektorët gjatë kontrollit të tyre verifikojnë edhe nëse dizajni i këndit të lojërave ka barriera vizuale, gjë që pengon prindërit dhe mbikëqyrësit e tjerë të mund të vëzhgojnë fëmijët në të gjitha pjesët e këndit të lojërave. Po ashtu, kontrollojnë nëse këndet e lojërave plotësojnë kushtet për vendosjen e informacionit dhe instruksioneve në vende të dukshme. Kjo për t’u siguruar që fëmijët dhe të rriturit të mund të dallojnë lehtësisht zonat e lojës të përshtatshme për moshën, rregullat e parkut, udhëzimet për mbikëqyrjen e fëmijëve, si dhe informacionet e kontaktit të personave përgjegjës për sigurinë në tërësi të parkut të lojërave.