Në kuadër të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, me qëllim ndërgjegjësimin për rëndësinë e mirëqenies së tyre, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), me mbështetjen e Programit të Bashkëpunimit Gjerman (GIZ) “Mbështetje për harmonizimin e legjislacionit ekonomik e tregtar me Acquis-në e BE-së, organizoi një fushatë ndërgjegjësuese për sigurinë e lodrave. Për këtë qëllim në ambientet e Mak hotel (ish Hotel Sheraton) u zhvillua workshop-i me temë: “Siguria e lodrave – Standardet dhe legjislacioni shqiptar”, si dhe u ngritën infopoint pranë Parkut Rinia dhe digës së liqenit artificial. Këto pika informuese ofruan aktivitete argëtuese për fëmijët me rastin e festës së tyre, si vizatime, lojëra edukative dhe dhurata të ndryshme, ndërsa për prindërit u shpërndanë materiale për sigurinë e lodrave dhe u dhanë këshilla nga përfaqësues të ISHMT mbi mënyrat e përzgjedhjes së lodrave, sigurinë, falsifikimin e tyre, si dhe institucionet ku mund të drejtojnë ankesat për këto produkte.