Kjo ditë nuk është vetëm ditë festive por njëherësh shërben për të sensibilizuar prindërit dhe fëmijët në lidhje me rëndësinë e përzgjedhjes së produkteve të sigurta për jetën dhe shëndetin e tyre.

Në këtë kuadër, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) organizoi një aktivitet me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të prindërve mbi rëndësinë e përzgjedhjes së produkteve për kujdesin e fëmijëve të tyre, si dhe lodrat që ata përdorin.

Në Tiranë, stenda e ISHMT-së është ngritur në zonën e pedonales “Murat Toptani”, ku çdo kush mund të marrë informacion mbi sigurinë e produkteve dhe lodrave për fëmijë.

Në këtë aktivitet u shpërndanë materiale informuese mbi paralajmërimet që duhet të shoqërojnë produktet si rrethore, takëmet e ngrënies të fëmijëve, biberonat, mbajtësit e tyre si dhe instruksionet e përdorimit dhe të mirëmbajtjes, të cilat duhet të kontrollohen dhe lexohen me vëmendje për të shmangur rreziqet që ato mund paraqesin.

Inspektorët e ISHMT u dhanë këshilla prindërve mbi mënyrat e përzgjedhjes së produkteve dhe lodrave për fëmijë, cilat janë standardet e harmonizuara shqiptare të cilat prezumojnë sigurinë për secilën kategori, si dhe institucionet ku mund të drejtojnë ankesat e tyre lidhur me to.

Lodrat që përzgjedhim për fëmijët duhen kontrolluar për elementet e sigurisë si markimi CE, paralajmërimet e moshës, instruksionet e përdorimit dhe të mirëmbajtjes.