Ashensorët, inspektimet e kryera nga ISHMT, ndryshimet në kuadrin ligjor dhe detyrimet e ndërtuesve në lidhje me garantimin e sigurisë dhe plotësimin e kërkesave ligjore.

Gjatë takimit të zhvilluar më datë 30.01.2020, ora 9:30, në Hotel Tirana International me ndërtuesit u diskutua në lidhje me detyrimet që lindin për ta në lidhje me ashensorët e rinj dhe ata në përdorim, në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Hapja e takimit, u krye nga z. Julian Llupo, Drejtor i Drejtorisë së Sigurisë së Produkteve pranë ISHMT, si institucioni përgjegjës për garantimin e sigurisë së ashensorëve dhe regjistrimin e tyre në regjistrin kombëtar.  Znj. Belinda Ikonomi – Zv. Ministër, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, rikonfirmoi mbështetjen dhe rolin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në procesin e ndërmarr nga ISHMT mbi sigurinë e ashensorëve.

Kryeinspektori i ISHMT, Z. Lavdrim Sahitaj mori fjalën dhe kërkoi mbështetje nga ndërtuesit në lidhje me detyrimet e tyre. Z. Sahitaj diskutoi rreth procesit të regjistrimit të ashensorëve, dhe inspektimeve të kryera nga ISHMT mbi sigurinë e ashensorëve.

Së fundmi, u diskutua nga Z. Llupo mbi rolin e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut në lidhje me sigurinë dhe plotësimin e kërkesave ligjore për komponentët e sigurisë, ashensorët e rinj (instaluar që prej datës 1.1.2020) dhe ashensorët në përdorim (instaluar deri në datën 31.12.2019). Gjithashtu u theksuan detyrimet ligjore të ligjit Nr. 10489, datë 15.12.2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, mbi kërkesat që lindin për ndërtuesit si persona përgjegjës për ashensorët në ndërtesat në bashkëpronësi deri në 5 vjet nga regjistrimi i bashkëpronësisë në regjistrin e pasurive të paluajtshme.

Duke qënë se është duke u plotësuar regjistri i ashnesorëve nga ISHMT, u sqarua mbi detyrimin e regjistrimit, dhe ekzaminimin e plotë fillestar nga një organ i miratuar, vendosjen e markimit CE për ashensorët e rinj dhe dokumentacionit teknik të nevojshëm. Takimi u përmbyll me diskutime dhe shkëmbimin e eksperiencave të ndërtuesve mbi etapat e procesit të plotësimit të kërkesave ligjore.