Më datë 09.05.2019 Ministria e Kulturës organizoi në ambjentet e Art Turbina tryezën e rrumbullakët/konsultime publike për ndryshimet në Kodin Penal në lidhje me cënimin e të drejtës së autorit. Në këtë takim morrën pjesë përfaqësues së Ministrisë së Kulturës, të institucioneve të përfshira në garantimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to si dhe grupet e interesit.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës bënë një prezantim të zbatimit të legjislacionit për të drejtën e autorit në realitetin shqiptar si dhe të propozimit për ndryshimin e dispozitës ligjore në Kodin Penal. Konkretisht, do të përcaktohen veprimet të cilat njihen si shkelje të së drejtës së autorit, llojet e dënimeve si dhe kohëzgjatja e tyre në rast se kryhet shkelja e së drejtës së autorit. Në përfundim u konkludua me propozime konkrete nga ana e pjesëmarrësve sesi mund të përmirësohet kjo nismë ligjore.