Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) si dhe Ministria e Kulturës, Drejtoria e së Drejtës së Autorit nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të të drejtës së autorit në Shqipëri.
Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga Kryeinspektori i ISHMT-së, Gazmend Osmani si dhe Sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, Zerina Bruci.
Përmes këtij memorandumi palët konfirmojnë vullnetin dhe angazhimin maksimal për të identifikuar, siguruar dhe zbatuar të gjitha mjetet e nevojshme ligjore dhe ekzekutive për zbatimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional të veprimtarisë të operatorëve ekonomik.
Njëkohësisht konfirmojnë vullnetin e mirë dhe vendosmërinë për të promovuar mirëfunksionimin e institucioneve përmes bashkëpunimit dhe bashkërendimit në mënyrë konstruktive dhe thelbësore për realizimin e qëllimit të këtij memorandumi.
Kryeinspektori Gazmend Osmani, deklaroi se ISHMT e konsideron objektiv prioritar rritjen e eficencës së mbikëqyrjes së veprimtarisë tregtare të operatorëve ekonomikë, bazuar në respektimin dhe garantimin e të drejtave të pronësisë intelektuale.
“Përmes këtij memorandumi, ne angazhohemi të bashkëpunojmë dhe shkëmbejmë informacion për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to”, tha Osmani.
Ky memorandum bashkëpunimi bazohet në ligjin Nr. 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ligjin nr. 10433, datë 16.06.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 36, datë 20/01/2016, “Për krijimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut”.
E drejta e autorit dhe te drejtat të lidhura me to, janë thelbësore për krijimtarinë njerëzore, duke u dhënë në këtë mënyrë nxitje krijuesve në formën e njohjes dhe shpërblimeve të drejta ekonomike.
Sipas këtij sistemi të drejtash krijuesit janë të siguruar që veprat e tyre mund të shpërndahen pa frikën e kopjimit të paautorizuar dhe piraterisë. Kjo është për të ndihmuar rritjen e aksesit dhe për të shijuar kënaqësinë e kulturës, njohurive dhe argëtimeve në të gjithë botën.