Legjislacioni i fushës

E drejta e pronësisë industriale , e rregulluar nga normat juridike, është një koncept relativisht i ri në Shqipëri. Institucioni i cili garanton mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale, është Inspektorati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut krijuar me V.K.M nr 36 datë 20.01.2016. Sektori i Pronësisë Industriale si mekanizëm për kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fushën e pronësisë industriale e ka bazën ligjore në ligjin nr.9947 datë 07.07.2008 Për Pronësinë Industriale” (i ndryshuar). Objekt i këtij ligji është rregullimi i sistemit të dhënies dhe të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë industriale. Mbrojtja e pronësisë industriale ka si objekte të saj:
a) patentat dhe modelet e përdorimit;
b) disenjot industriale;
c) markat tregtare dhe të shërbimit;
ç) treguesit gjeografikë. Objektiv kryesor i ISHMT-së është ndërgjegjësimi për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë industriale dhe promovimi i ISHMT-së si garantues i këtyre të drejtave.
Të drejtat e autorit i përkasin, nga natyra, personit fizik, i cili ka krijuar veprën. Autor është çdo person fizik ose një grup personash fizikë, që krijon vepër letrare, artistike, shkencore, produkt intelektual origjinal, i materializuar, pavarësisht nga forma dhe mënyra e të shprehurit. Objekt i së drejtës së autorit është çdo krijim intelektual origjinal në fushën e letërsisë, artit dhe shkencës, i cili mbart karakteristika individuale, pavarësisht nga mënyra ose forma e shprehjes së tyre, objektivi, rëndësia, për aq sa nuk parashikohet ndryshe në ligjin për të drejtat e autorit.