I. Markat tregtare

Një markë tregtare është një shenjë ose kombinim shenjash të cilat paraqiten grafikisht dhe të cilat shërbejnë për të dalluar mallrat ose shërbimet e një personi fizik ose juridik nga ato të një personi tjetër fizik ose juridik. Për të gëzuar mbrojtje kombëtare marka tregtare duhet të regjistrohet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale. Në nivel ndërkombëtar mund të paraqitet një aplikim për markën tregtare me zyrën e regjistrimit të markës tregtare të secilit vend në të cilin kërkohet mbrojtje, ose mund të përdoret Sistemi i Madridit. Afati i mbrojtjes së markës tregtare është 10 vjet duke filluar nga data e depozitimit. Marka mund të ripërtërihet pafundësisht për periudha dhjetëvjecare, pasi pronari depoziton një kërkesë për këtë qëllim pranë DPPI-së dhe paguan tarifën përkatëse, në një periudhë jo më vonë se gjashtë muaj nga data e përfundimit të periudhës dhjetëvjecare të regjistrimit.

II. Patenta

Patenta është një e drejtë ekskluzive e dhënë për një shpikje, e cila mund të jetë një produkt ose një proces që siguron një zgjidhje të re teknike për një problem. Patentat lëshohen për shpikje të cilat përbëjnë risi, përmbajnë hap shpikës dhe të cilat janë të zbatueshme në industri, përfshirë dhe bujqësinë. Patenta siguron mbrojtje për pronarin e patëntës për një periudhë prej 20 vjetësh nga data e depozitimit të aplikimit për patentë. Patentat farmaceutike dhe produktet e mbrojtura bimore pajisen me çertifikatë të mbrojtjes shtesë për një periudhë deri në 5 vjet të tjera. Patentat e lëshuara kanë vlefshmëri vetëm në vendin në të cilin janë lëshuar por në sajë të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e Patentave , shpikësit mund të kryejnë aplikim për patent ndërkombëtare, dhe të zgjedhin nëse do shtrihet mbrojtja e të drejtës së tyre për patentë në të gjithë vendet apo vetëm në një pjesë të tyre.

III. Disenjo industriale

Me disenjo industriale nënkuptojmë karakteristikat e formës së jashtme të një produkti, aspekti ornamental ose estetik i një produkti, si një i tërë ose i pjesëvë të tij , që i jep një pamje të veçantë produktit. Disenjo industriale mund të gëzojë mbrojtje në aspektin e pronësisë industriale por dhe pronësisë intelektuale. Regjistrimi i një disenjo është i vlefshëm për 5 vjet, duke filluar nga data e depozitimit të aplikimit për regjistrimin e saj. Afati mund të ripërtërihet për një periudhë shtesë prej pesë vjetësh kundrejt pagesë së tarifës së përcaktuar, deri në një periudhë prej 25 vjetësh nga data e depozitimit të aplikimit për regjistrimin e disenjos.

IV. Treguesit gjeografikë dhe të origjinës

Një tregues gjeografik është një shenjë e përdorur për produktet që kanë një origjinë të caktuar gjeografike dhe që posedojnë cilësi ose reputacion për shkak të asaj origjine. Cilësitë, karakteristikat ose reputacioni i produktit duhet të jenë në thelb për shkak të vendit të origjinës. E drejta e pronësisë mbi treguesit gjeografikë fitohet me regjistrimin pranë DPPI-së. Pronarët të cilët kanë regjistruar treguesit gjeografikë nuk kanë të drejtë të japin licensa përdorimi. Afati i mbrojtjes së një treguesi gjeografikë është i pakufizuar në kohë dhe përfundon kur nuk ekziston më lidhja ndërmjet vetive të karakteristikave të mallrave dhe mjedisit gjeografikë.

V. Falsifikimi i mallrave
Megjithëse nuk ka një definim të unifikuar me falsifikim të mallrave (shkelje e të drejtave të markës tregtare) bazuar në Marrëveshjen TRIPS nënkuptojmë çdo mall, duke përfshirë edhe paketimin, pa autorizimin e një marke tregtare që është i njëjtë me markën e regjistruar në lidhje me këto mallra ose që nuk mund të dallohet në aspektet e saj thelbësore nga një markë e tillë dhe që në këtë mënyrë shkel të drejtat e pronarit të markës tregtare në fjalë sipas ligjit të vendit të importimit”

Legjislacioni shqiptar për rastin e falsifikimit parashikon se Nëse pronarët ose mbajtësit e të drejtave ose përdoruesit e autorizuar paraqesin një kërkesankesë për mallrat e importuara në Republikën e Shqipërisë ose për mallrat e tjera brenda tregut, të cilat cenojnë të drejtat e tyre, autoritetet doganore ose Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, sipas rastit, janë të detyruara të bëjnë verifikimet përkatëse dhe, në bazë të përfundimeve të nxjerra, të vendosin bllokimin e zhdoganimeve ose heqjen e mallrave nga tregu, si dhe vendosjen e tyre në një vend të sigurt, përveç kur importuesi ose tregtari vërteton, nëpërmjet dokumenteve të origjinës së mallrave, se ato nuk janë të falsifikuara. Autoritetet doganore dhe inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut veprojnë edhe ex officio kur parashikohet nga legjislacioni në fuqi që rregullon aktivitetin e këtyre organeve” (Neni 188 i ligjit Për Pronësinë Industriale” )