UDHËRRËFYESIT TURISTIK

 
1. Certikata
Udhërrëfyesi turistik në bazë të Nenit 57, pika 1, të Ligjit 93/2015 “Për Turizmin” para fillimit të ushtrimit të kësaj veprimtarie duhet të pajiset me çertifikatën për kategorinë dhe gjuhën përkatëse nga Ministria përgjegjëse për Turizmin.
Kriteret për pajisjen me çertifikatë, për ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik, detyrat, përgjegjësitë dhe kodi i etikës së tyre parashikohen në rregulloren e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, nr.692 datë 05.10.2016 “Kriteret për Pajisjen me Certikatë për Ushtrimin e Veprimtarisë së Udhërrëfyesit Turistik, Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kodin e Etikës”.
Ushtrimi i veprimtarisë pa çertifikatë, sipas pikës 1 të nenit 57, dënohet me gjobë 100 000 lekë.
2. Dokumenti identifikues
Udhërrëfyesi turistik, sipas pikës 2 të nenit 58 të Ligjit 93/2015 “Për Turizmin”, duhet ta mbajë dokumentin identifikues zyrtar në një vend të dukshëm të veshjes së vet, gjatë gjithë kohës që kryen shërbimet si udhërrëfyes turistik.
Ushtrimi i veprimtarisë pa plotësuar këtë kërkesë ligjore, dënohet me gjobë 50 000 lekë.
3. Udhërrëfyesi Turistik i Huaj
Udhërrëfyesi turistik i huaj, i cili nuk është çertifikuar në Republikën e Shqipërisë për ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik, sipas pikës 1 të Nenit 61 të Ligjit 93/2015 “Për Turizmin”, mund të shoqërojë grupe vizitorësh apo turistësh të huaj, për qëllime turistike, në territorin e vendit tonë, në cilësinë e shoqëruesit të udhëtimit. Ai duhet të ketë si shoqërues një udhërrëfyes turistik të çertifikuar, në bazë të një kontrate shërbimi, i cili duhet të jetë prezent gjatë vizitës së grupit të huaj në Shqipëri.
Ushtrimi i veprimtarisë pa plotësuar këtë kërkesë ligjore dënohet me gjobë 150 000 lekë.
4. Rinovimi i çertifikatës
Kriteret për rinovimin e çertifikatës së udhërrëfyesit turistik parashikohen në Nenin 9 të Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr.692 datë 05.10.2016 “Kriteret për Pajisjen me Certikatë për Ushtrimin e Veprimtarisë së Udhërrëfyesit Turistik, Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kodin e Etikës”.

Inspektorati i Tregut