Me datë 27 Nëntor, në ambientet e Ministrisë së Kulturës, u zhvillua një takim me kandidatë për magjistratë të ardhshëm mbi të drejtat e autorit në Republikën e Shqipërisë. Në takim ishin pjesëmarrës përfaqësues të Drejtorisë së të Drejtave të Autorit, Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe Sportelit Unik të Administrimit të të Drejtave të Autorit.

Përfaqësuesit e administratës publike, në fjalën e tyre bënë një prezantim të kuadrit ligjor dhe institucional të mekanizmit të mbrojtjes së të drejtave të autorit. Prezantim ku u evidentua edhe ecuria, sëbashku me problematikat e përballura, e ndërveprimit të administratës publike dhe sistemit gjyqësor përsa i përket fushës së mbrojtjes së të drejtave të autorit. Kryeinspektori i ISHMT-së, znj. Xhixha në fjalën e saj e vendosi theksin ndër të tjera tek një frymë më bashkëpunuese në ndërveprimin institucional dhe të unifikuar në leximin e kuadrit ligjor.

Në vazhdim, kandidatët për Magjistratë patën mundësi të bashkëbisedonin me përfaqësuesit e administratës mbi paqartësitë e tyre mbi çështjet e ngritura. Gjithashtu, takimi shërbeu si një mundësi e shkëmbimit të mendimeve të ndryshme dhe madje alternative mbi mekanizmin e mbrojtjes së të drejtave të autorit në vend.