I. Markat tregtare
Një markë tregtare është një shenjë ose kombinim shenjash të cilat paraqiten grafikisht dhe të cilat shërbejnë për të dalluar mallrat ose shërbimet e një personi fizik ose juridik nga ato të një personi tjetër fizik ose juridik. Për të gëzuar mbrojtje kombëtare marka tregtare duhet të regjistrohet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale. Në nivel ndërkombëtar mund të paraqitet një aplikim për markën tregtare me zyrën e regjistrimit të markës tregtare të secilit vend në të cilin kërkohet mbrojtje, ose mund të përdoret Sistemi i Madridit. Afati i mbrojtjes së markës tregtare është 10 vjet duke filluar nga data e depozitimit. Marka mund të ripërtërihet pafundësisht për periudha dhjetëvjecare, pasi pronari depoziton një kërkesë për këtë qëllim pranë DPPI-së dhe paguan tarifën përkatëse, në një periudhë jo më vonë se gjashtë muaj nga data e përfundimit të periudhës dhjetëvjecare të regjistrimit.
II. Patenta
Patenta është një e drejtë ekskluzive e dhënë për një shpikje, e cila mund të jetë një produkt ose një proces që siguron një zgjidhje të re teknike për një problem. Patentat lëshohen për shpikje të cilat përbëjnë risi, përmbajnë hap shpikës dhe të cilat janë të zbatueshme në industri, përfshirë dhe bujqësinë. Patenta siguron mbrojtje për pronarin e patëntës për një periudhë prej 20 vjetësh nga data e depozitimit të aplikimit për patentë. Patentat farmaceutike dhe produktet e mbrojtura bimore pajisen me çertifikatë të mbrojtjes shtesë për një periudhë deri në 5 vjet të tjera. Patentat e lëshuara kanë vlefshmëri vetëm në vendin në të cilin janë lëshuar por në sajë të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e Patentave , shpikësit mund të kryejnë aplikim për patent ndërkombëtare, dhe të zgjedhin nëse do shtrihet mbrojtja e të drejtës së tyre për patentë në të gjithë vendet apo vetëm në një pjesë të tyre.
III. Disenjo industriale
Me disenjo industriale nënkuptojmë karakteristikat e formës së jashtme të një produkti, aspekti ornamental ose estetik i një produkti, si një i tërë ose i pjesëvë të tij , që i jep një pamje të veçantë produktit. Disenjo industriale mund të gëzojë mbrojtje në aspektin e pronësisë industriale por dhe pronësisë intelektuale. Regjistrimi i një disenjo është i vlefshëm për 5 vjet, duke filluar nga data e depozitimit të aplikimit për regjistrimin e saj. Afati mund të ripërtërihet për një periudhë shtesë prej pesë vjetësh kundrejt pagesë së tarifës së përcaktuar, deri në një periudhë prej 25 vjetësh nga data e depozitimit të aplikimit për regjistrimin e disenjos.
IV. Treguesit Gjeografikë dhe Emërtimet e Origjinës.
Një tregues gjeografik është një shenjë e përdorur për produktet që kanë një origjinë të caktuar gjeografike dhe që posedojnë cilësi ose reputacion për shkak të asaj origjine. Cilësitë, karakteristikat ose reputacioni i produktit duhet të jenë në thelb për shkak të vendit të origjinës. E drejta e pronësisë mbi treguesit gjeografikë fitohet me regjistrimin pranë DPPI-së. Pronarët të cilët kanë regjistruar treguesit gjeografikë nuk kanë të drejtë të japin licensa përdorimi. Afati i mbrojtjes së një treguesi gjeografikë është i pakufizuar në kohë dhe përfundon kur nuk ekziston më lidhja ndërmjet vetive të karakteristikave të mallrave dhe mjedisit gjeografikë.
V. Mallrat e falsifikuara dhe pirate
“Mallra të falsifikuara” nënkuptojnë:
- mallra, të cilat janë objekt i një veprimi që shkel një markë tregtare dhe, pa lejen e mbajtësit të së drejtës, mbajnë një shenjë identike me markën tregtare të regjistruar rregullisht për të njëjtat lloje mallrash ose që në thelb është e padallueshme nga kjo markë;
- mallra, të cilat janë objekt i një veprimi që shkel një tregues gjeografik/emërtim origjine dhe mbajnë ose janë të përshkruara me një emër ose term të mbrojtur lidhur me atë tregues gjeografik/emërtim origjine; çdo paketim, etiketë, ngjitës, broshurë, udhëzues përdorimi, dokument garancie ose artikull tjetër i ngjashëm, edhe nëse paraqitet veçmas, që është objekt i një veprimi që shkel një markë tregtare ose një tregues gjeografik/emërtim origjine, që përfshin një shenjë, emër ose term që është identik me një markë tregtare të regjistruar rregullisht ose tregues gjeografik/emërtim origjine të mbrojtur, ose që në thelb është e padallueshme nga një markë tregtare apo tregues gjeografik/emërtim origjine i tillë dhe që mund të përdoret për të njëjtin lloj mallrash si ai për të cilin është regjistruar marka tregtare ose treguesi gjeografik/emërtim origjine.
“Mallra pirate” janë mallra të cilat janë objekt i një veprimi që shkel të drejtat e një disenjoje industriale në Republikën e Shqipërisë dhe janë/ose përmbajnë kopje të bëra pa pëlqimin e mbajtësit të të drejtave të lidhur me disenjon industriale apo të një personi të autorizuar prej mbajtësit në vendin e prodhimit.