Me datë 25/10/2018, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Elbasan, në vazhdën e takimeve të organizuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë me qëllim informimin e operatorëve ekonomikë lokalë, zhvilloi takimin me përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë në qytetin e Elbasanit. Në këtë takim morën pjesë ndër të tjera dhe përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, nga të cilët Kryeinspektori mbajti një prezantim mbi organizimin dhe funksionimin e institucionit të ISHMT-së. Në fjalën e saj, znj. Xhixha i bëri thirrje operatorëve ekonomikë për më shumë përfshirje në informimin dhe ndërgjegjësimin mbi detyrimet që vendos kuadri ligjor, veçanërisht përsa i përket proceseve përafruese me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Më pas, iu mundësia përfaqësuesve të operatorëve ekonomikë lokalë të ndanin shqetësimet dhe problematikat e hasura gjatë veprimtarisë së tyre. Dy prej shqetësimeve kryesore të ngritura nga operatorët ekonomikë ishin nevoja për rritjen e mundësisë informuese për detyrimet ligjore si dhe nevoja për ngritjen e laboratorëve të akredituar në vendin tonë. Në vazhdim të takimit, fjalën e morën përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale dhe Sportelit Unik për Administrimin e të Drejtave të Autorit, të cilët prezantuan institucionet e tyre.