Në kuadër të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, Dhoma Amerikane e Tregtisë zhvilloi një tryezë të rrumbullakët “Standing Together on IP rights” me aktorë të ndryshëm kontribues për pronësinë intelektuale. Në këtë takim, përfaqësues të institucioneve shtetërore të përfshira në regjistrimin dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale mbajtën fjalën e tyre në lidhje me rëndësinë, mbrojtjen dhe bashkëpunimin me të gjitha institucionet për të adresuar problematikat e biznesit në këtë fushë. Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, nëpërmjet përfaqësuesve të tij i vuri theksin informimit, monitorimit dhe inspektimit të tregut në përmbushje të detyrimeve ligjore. Qëllimi i këtij takimi ishte bashkërendimi i praktikave të punës për të koordinuar sa më mirë institucionet përkatëse si dhe grupet e interesit të përfshira në përmirësimin e situatës së IP në tregun e brendshëm. Në përfundim, theksi u vendos tek respektimi i të drejtave të pronësisë intelektuale në zhvillimin ekonomik, social e kulturor të vendit.