Në ditën e Europës, 09 Maj 2019,  Qendra “Konsumatori Shqiptar” në bashkëpunim me këndin e BE-së pranë Bashkisë Durrës dhe me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, zhvilluan takim me temë “Sfidat e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) në garantimin e sigurisë për produktet joushqimore në kuadër të procesit të antarësimit në BE”.

Ky aktivitet me përfaqësues të administratës publike, gazetarë, shoqëri civile si dhe qytetarë nga Durrësi, kishte në fokus mbrojtjen e konsumatorit për kategorinë e produkteve joushqimore. Përfaqësuesit e ISHMT-së shpjeguan me detaje rolin dhe veprimtarinë e inspektoratit në një pjesë të  fushave që ai mbulon si: lodra, detergjentë, produkte elektrike dhe ashensorët. Në fund të secilit prezantim, pjesëmarrësit kishin mundësi që të drejtonin pyetje lidhur me tematikat e zhvilluara dhe ndërgjegjësimin e tyre si konsumatorë.